Një shpjegim për titullin dhe për logon

Përgjatë periudhave, njerëzimi veçoi katër elementë thelbësorë për jetën: toka, uji, ajri dhe zjarri! Ky përcaktim i prezantuar për herë të parë prej materialistit paradarvinist Empedokli në Greqinë Antike, u zhvillua më tej prej Aristotelit, i cili e pasuroi me një element e koncept të ri: vetëdija. Ishte pikërisht vetëdija, ky element jomaterialist që i jepte bashkësisë kozmike, formën e saj të plotë. Kështu pra, “Elementi i pestë” mishëron dhe bashkon vullnetin hyjnor, në themel të të cilit qëndron Natyra, vetë jeta në tërësinë e saj, në qendër të të cilës qëndron e vetmja qënie e vetëdijshme: Njeriu. Ndaj dhe kemi synuar që në prezantimin grafik, përmes logos, të përfshijmë simbolikisht të pestë këta elementë.