“Butrinti Magjik”
- 53 min.
- 22/12/2021
- 1257  Shikime
Butrinti, atraksioni më i famshëm turistik i vendit, siti më i rëndësishëm arkeologjik i Epirit, një hotspot i spikatur në historinë e botës, do të administrohet, për herë të parë, (2022) nga një organizatë joqeveritare.
Në fakt, organizata e re (joint-venture, mes autoritetit shtetëror dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) do të administrojë (natyrisht, do të grumbullojë edhe të ardhurat) vetëm sitin arkeologjik (A3), ose 7% të sip. totale, ndërkohë që 93%-shi i mbetur, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, do të lihet jashtë administrimit.
Por çfarë e rrezikon Butrintin? A do të vazhdojë të ruajë shkëlqimin dhe famën ndërkombëtare, si një prej atraksioneve antike më të spikatura botërore, nën administrimin e ri? Çfarë mund të përmirësojë struktura e re menaxhuese, ose çfarë mund të rrezikojë ajo? A rrezikon Butrinti përfshirjen nën skemat e PPP-ve? A do të vazhdojnë të ruhen monumentet dhe peizazhi nën rregullat e reja të administratorëve të rinj? A do të mbetet Butrinti ende një pasuri kombëtare? Çfarë mund “të humbasë” ndërkohë që mund të fitojë një performancë më të mirë financiare? Paragjykimet janë të drejta, përsa kohë që historitë e deritanishme të bashkëpunim kanë siguruar përfitime për biznesin në kurriz të së përbashkëtës.
Ky episod synon sensibilizimin e opinionit publik dhe të grupeve të interesit, përmes rritjes së vetëdijes mbi vlerat e jashtëzakonshme të Butrintit, për të siguruar një pjesëmarre aktive dhe vigjilente ndaj procesit të vendimmarrjes mbi trashëgiminë kulturore dhe natyrore.
Ka shumë pasiguri mbi të ardhmen e Butrintit. Deri tani, siti ka qënë nën administrim shtetëror. Administrimi i ri synon, shtimin e të ardhurave dhe përmirësimin e shërbimit ndaj monumenteve. Por një gjë duhet kuptuar: sado të larta, shtimi i të ardhurave nuk mund të na sigurojë një Butrint të ri, të ndryshëm nga origjinali. Ndaj, përtej të ardhurave, detyra kryesore mbetet mbrojtja e tij. Por, a mendojnë njësoj administratorët e rinj?