“Ne kopeshtin e Edenit”

  • 62 min.
  • 23/02/2022
  • 515  Shikime

“Në kopështin e Edenit” është episodi i dhjetë i serisë Sipas natyrës; një udhëtim përmes shtigjeve të egra; një rikthim te natyra, te shtëpia jonë e përbashkët.

Ngjashmëria e Shqipërisë me Edenin është metafora me të madhërishmen. Një udhëtim që frymëzon shpresë dhe grumbullon energji të re; që ushqen dashurinë për vendin dhe për njerëzit.

Në një botë ku besimi po shuhet, rikthimi te natyra përbën një rikthim te morali. Natyra mbetet përkatësia e vetme dhe e përhershme; që reflekton të shkuarën dhe historinë tonë.

Krahas ndryshimit dhe degradimit të natyrës, një tjetër habitat, habitati ynë njerëzor ndodhet nën agresionin e tjetërsimit. Të zhytur në ankthin dhe stresin e së përditshmes, ne po humbasim natyrën, lidhjen me të. Nën pushtetin e zhurmës, mashtrimit dhe kaosit urban vetëdijet tona po mjegullohen, ndjeshmëritë po zbehen dhe horizonte po mbyllen.

Ekziston një raport i shenjtë, mes natyrës dhe njeriut, një marrëdhënie, shpesh e vështirë, por që nuk humbet kurrë… Natyra ka nevojë për joshjen tonë, ndërsa ne, të gjithë, kemi nevojë për mbështetjen e saj.

Ndaj dhe udhëtimi nëpër shtegun e natyrës mbetet destinacioni ynë final, një itinerar për nga e shkuara, drejt së vërtetës, drejt shpëtimit.☘️