“Brigje të humbura”

  • 63 min.
  • 29/12/2021
  • 959  Shikime

“Brigje të humbura” nuk është metaforë… Shqipëria po humb një pjesë të brigjeve të saj.Janë tre faktorë shkaku: shkatërrimi i bregut prej skalierave (pilotat) të gurit, erozioni detar dhe çrregullimi i regjimit të sedimenteve në brendësi të tokës. Bizneset private, në përpjekje të dëshpëruara për të përballuar erozionin që po u shkatërron plazhin, gjejnë zgjidhje të përkohshme me ndërtimin e një serie të panumërt pritash guri, njëra pas tjetrës, duke e transferuar problemin në biznesin ngjitur, por pa e zgjidhur atë. Nga ana tjetër humbja do të rritet për shkak të ndryshimeve klimatike të cilat parashikojnë ngritjen e nivelit të Adriatikut.
Më tej, futja e ujit në brendësi të tokës do të rrëmbejë plazhin, por dhe lagunat, ku, në këto të fundit, prishja e ekuilibrit të kripës do të pakësojë vetitë ushqyese të ujit, duke ndikuar gjendjen e gjallesave. Agresioni ndaj bregut po stimulohet edhe prej bllokimit të sedimenteve lumore, në brendësi të vendit, duke ndaluar kalimin e tyre drejt deltave lumore, bllokim i cili parashikohet të stimulohet edhe prej planifikimit të ndërtimit të digave të hidrocentraleve. Ende nuk ka një aksion kombëtar, një plan veprimi konkret, të zbatueshëm, për gjendjen e plazheve, për erozionin detar. Ministria e Mjedisit “fle”, duke propaganduar vetëm turizmin, pa u shqetësuar aspak për kërcënimet që u vijnë plazheve prej aktiviteteve ekonomike.
Agjencia për Mbrojtjen e Bregdetit (AMB) nuk i shërben mirëmbajtjes së plazheve, por kujdeset për borderotë e një grupi të rinjsh që nuk bëjnë asgjë për mbrojtjen e vijës bregore të vendit. Pasojat e kësaj rrumpalle janë komplekse: ekonomike; sociale; kulturore dhe mjedisore. Shqipëria do të vazhdojë të rrënohet, ndërkohë që begatia në propagandë do të lartësohet.