“Shqiperia e mugët”

  • 51 min.
  • 09/02/2022
  • 957  Shikime

Të mashtrosh përmes imazhit të rremë, në kohën e shpërthimit të komunikimit masiv virtual, nuk do të thotë vetëm të fshehësh të vërtetën, por të prezantosh si të vërtetë një realitet që nuk ekziston dhe t’i bësh të tjerët të besojnë në të. Ky iluzion i gënjeshtërt po shndërrohet në një fenomen kulturor.

Imazhet e Shqipërisë së bukur, me pyje të larta e liqene të pastra, me parqe natyrore të virgjëra (duke lënë mënjanë shfrytëzimin dhe keqpërdorimin e burimeve), nëpër rrjete sociale, të promovuara shpesh në emër të patriotizmit, po prodhojnë një atdhe të rremë.
Nxitësit e kësaj fushate promovuese, kryesisht politikanë në qeverisje, burokratë dhe rrogëtarë borderosh, po përdorin imazhin e natyrës për të tërhequr pas vetes ndjekës të shumtë. Premisa se Shqipëria e bukur ekziston falë nesh; falë punës dhe përpjekjes së skuadrës sonë; se falë nesh pastrohen dhe ripërtërihen habitatet, synon përfitimin e tyre personal, në kurriz të mjedisit.

Por Shqipëria e vërtetë është ndryshe. Në realitet, natyra po shkatërrohet!

Kontratat koncensionare dhe korporatat e mëdha financiare po shterojnë burimet natyrore dhe po shëmtojnë mjedisin. Vendimmarrja mjedisore është në disfavor të komunitetit. Në pamundësi për të ndaluar degradimin dhe shkatërrimin e natyrës, promovuesit në qeverisje, reklamojnë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri plot ngjyra dhe shkëlqim, e cila po josh ndjekës të shumtë.

Por Shqipëria e Instagramit, Shqipëria e promocionit, i shërben promovuesit. Një aparat i tërë burokratësh që lëviz një mekanizëm kompleks promovimi po shndërrohet në strategji kombëtare.
Për ne, Shqipëria reale nuk është parajsë. Si çdo gjë tjetër, ajo nuk është e përsosur. Është kjo papërsosmëri që nxit aksionin dhe kujdesin për mbrojten e saj. Shqipëria reale është një ndërmarrje e vështirë, e cila kërkon sakrifica dhe përkushtim. Sepse vetëm përmes sakrificave ne mund të ushqejmë dashurinë dhe të kultivojmë moralin e duhur për të mbrojtur vendin. Vetëm duke u përballur me realitetin ne mund të frenojmë emocionet e rreme që prodhon fantazia virtuale e rrjeteve.

Ndiqni “Shqipëria e mugët”,episodi i tetë nga cikli “Sipas natyrës”! – Një vështrim mbi disa prej katastrofave mjedisore të kryera në emër të zhvillimit, gjatë dy dekadave të fundit.