Sa herë mbrojmë natyrën, ne mbrojmë jetën tonë. Kur shfrytëzojmë tokën në mënyrë të shfrenuar, nuk shkatërrojmë atë, por jetën! Disa mendojnë se jemi të varfër dhe kështu, përdorimi i burimeve natyrore është rruga drejt zhvillimit, drejt begatisë. Por, a mund të pasurohemi, nëse i varfërojmë këto burime?!
Në emër “të zhvillimit”, ne po ngrejmë me qindra diga! Po licensojmë me qindra gurore! Po japim, përgjithmonë, kilometra të tëra të vijës bregdetare! Lagunat, parqet dhe zonat e mbrojtura po kërcënohen nga agresioni i “zhvilluesve!”. Uji i lumenjve po shmanget nëpër tuba plastikë të cilat po groposen nëntokë! Mijëra hektarë po shpyllëzohen! Gjallesat rrezikojnë të zhduken… Shqipëria e egër, muza e rapsodëve të shkuar, gurra e poetëve romantikë, rrezikon të humbasë!
“Elementi i pestë” është një nismë gazetarësh për të prodhuar një seri dokumentarësh hulumtues, ku premisa kryesore është: SI MUND TA PËRMIRËSOJMË MËNYRËN SE SI PO ZHVILLOHET SHQIPËRIA?
“Elementi i pestë” është një përpjekje për të raportuar mbi rreziqet që u kanosen burimeve natyrore, pasurisë tonë të përbashkët dhe të përhershme.
Kjo seri mishëron dhe bashkon vullnetin tonë për të mbrojtur Natyrën dhe Shqipërinë.
Kjo nismë mbështetet nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.